Haradinaj ngushëllon për ndarjen nga jeta të Dr. Violeta Begollit: Shembull i përkushtimit dhe guximit
Foto: Laura Hasani

Haradinaj ngushëllon për ndarjen nga jeta të Dr. Violeta Begollit: Shembull i përkushtimit dhe guximit

Aktuale July 24, 2025 - 17:44

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të mjekes së njohur stomatologe, Dr. Violeta Hanna Begolli, e cila u nda nga jeta më 23 korrik në moshën 74-vjeçare.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj vlerësoi lart figurën e Dr. Begollit, duke e cilësuar si një simbol të përkushtimit dhe humanizmit në kohët më të vështira për popullin e Kosovës.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të mjekes së njohur stomatologe, Dr. Violeta Begolli. Në vitet më të vështira për popullin tonë, ajo ishte shembull i përkushtimit, humanizmit dhe guximit. Ambulanca e saj në Pejë u bë strehë për qindra familje të dëbuara nga puna me dhunë, duke ofruar shërbim falas për ta dhe për punëtorët e sistemit paralel. Gjatë luftës, qëndroi me popullin dhe mbështeti të drejtën për liri. Ngushëllime të sinqerta familjes Begolli dhe qytetarëve të Pejës”, shkroi Haradinaj.

Dr. Violeta Begolli ishte një prej figurave më të respektuara të mjekësisë në qytetin e Pejës, e njohur për përkushtimin e saj profesional dhe ndihmën e pakursyer ndaj komunitetit shqiptar në kohë okupimi dhe lufte.

Ajo u shqua edhe për veprimtarinë e saj humanitare dhe përkrahjen e çështjes së drejtë të Kosovës.

Ceremonia mortore për të ndjerën mbahet sot, më 24 korrik, në ora 18:00, në varrezat e qytetit në Pejë.