Costa i përgjigjet Kamberit: BE-ja po ndjek me kujdes trajtimin e shqiptarëve në Serbi
Foto: Laura Hasani

Costa i përgjigjet Kamberit: BE-ja po ndjek me kujdes trajtimin e shqiptarëve në Serbi

Aktuale July 24, 2025 - 13:39

Këshilli i Evropës është i njoftuar hollësisht me çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës. Kështu ka deklaruar deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, pas një letre që ka marrë nga Antonio Costa, president i Këshillit të Evropës.

Ky i fundit gjithashtu ka thënë se “pasivizimi është trajtuar edhe në raportet e zgjerimit të BE-së”.

“Edhe një hap drejtë internacionalizimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, në përgjigjen e tij ndaj letrës së dërguar me 25 shkurt 2025, më ka siguruar se BE-ja po ndjek me kujdes trajtimin e pakicave kombëtare, përfshirë edhe komunitetin shqiptar në Serbi”, thotë Kamberi në facebook.

Kamberi citon presidentin Costa, i cili sipas tij, ka shkruar në letrën e tij, se pakicat do të luajnë rol të rëndësishëm në kuadër të angazhimeve të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Nga Serbia pritet të përafrojë kuadrin e saj ligjor për të drejtat e pakicave me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Angazhimi i jonë për avancimin e pozitës së pakicave do të vazhdojë - BE dhe integrimi i rajonit në të, mbeten aspiratat tona të vetme politike”, ka thënë Kamberi.

Kujtojmë se më 25 shkurt, Kamberi i kishte shkruar një letër presidentit Costa duke e njoftuar lidhur me fushatën e Serbisë për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai kishte kërkuar që Serbia të kushtëzohet me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.