
Mbyllet pishina e Gërmisë
Është mbyllur sot pishina e Gërmisë në Prishtinë nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë.
Mbyllja e saj erdhi pasi dje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konstatoi se nga mostrat e analizuara, ka rezultuar se uji i pishinës nuk përmbush standardet.
Për këtë situatë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama në lidhje me vlerësimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës se uji i pishinës së Gërmisë nuk i plotëson standardet mikrobiologjike, tha se pret që ky problem të zgjidhet së shpejti,
“Për shkak të thatësisë së madhe pishina në Gërmi ka pasur problem edhe për mbushje të saj. Fillimisht e kanë pasur një marrëveshje me Ujësjellësin që t’i ndihmojë gjatë natës, por sa e di atë marrëveshje e kanë ndalur. Me çështjen e pastërtisë janë duke u marrë dhe besoj se këto ditë do të zgjidhet edhe kjo çështje”, tha Rama.
Ndërmarrja publike “Sport Marketing” SHA e menaxhon pishinën publike të Gërmisë në Prishtinë.