
Ministria e Drejtësisë: Deri tani për mbrojtjen e Thaçit janë paguar 5.3 milionë euro
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportimeve se ish-presidenti Hashim Thaçi, po i ikin avokatët për shkak të mospagesave.
MD-ja në një reagim ka treguar se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.
Sipas MD-së, nga fillimi i procesit deri më tani janë paguar rreth 33 milionë euro, ndërsa vetëm për mbrojtjes e Thaçit, sipas Ministrisë, janë paguar 5.3 milionë euro, transmeton Zeri.info.
“Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32.944.287.77 € (tridhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë centë).
Nga kjo shumë për mbrojtjen e Hashim Thaçit janë shpenzuar në total 5.353.301.02 € (pesë milionë e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 centë)”, thotë MD-ja.
Po ashtu thuhet se pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet në fund të reagimit. /Zëri