
MPJ-ja thotë se Serbia po refuzon të japë detaje për arrestimin e Lulzim Halilit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka dalur me një reagim mbi raportimet e arrestimit të Lulzim Halilit nga autoritetet serbe më 22 korrik 2025, në afërsi të qytetit Svilajnac.
Kjo ministri thotë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës ka kërkuar konfirmim të arrestimit dhe detaje nga autoritetet serbe, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
MPJ apelon për shmangien e udhëtimeve dhe kalimeve tranzite përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare.
”Njoftim lidhur me arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës z. Lulzim Halili, nga autoritetet e Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është njoftuar mbrëmjen e 22 korrikut 2025 për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Lulzim Halili.
Sipas informacioneve të pranuara, z. Halili është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.
Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac rreth orës 23:00 mbrëmë, mirëpo zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin.
Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe.
Gjithashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për këtë rast misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.
Sapo të konfirmohet nëse z. Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes.
Për çdo zhvillim të mëtejmë rreth këtij rasti, do të ju mbajmë të informuar me kohë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe”.