Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet

Aktuale July 23, 2025 - 19:49

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, sepse ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve tanë”, ka thënë Albin Kurti, në konferencë për media më 21 korrik 2025.

Këtë thirrje kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e bëri në konferencën e fundit, e ndër të rrallat që ka bërë në këtë kohë.

Por, kosovarët kryesisht nga mërgimi, megjithatë në masë të madhe vazhdojnë të vijnë pikërisht rrugëve të njëjta – duke kapërcyer përmes Serbisë.

Televizioni kërkoi nga Policia e Kosovës numrin e qytetarëve që kanë hyrë në territorin e Kosovës në dy muajt e fundit.

Por, brenda ditës ata nuk arritën të sigurojnë këto të dhëna dhe dërguan shifrat e qytetarëve që kanë hyrë nga e diela e kësaj jave.

Të dielën e kaluar, në total nga pikëkalimet me Serbinë në lindje dhe veri, kanë hyrë 33,417 persona.

Të hënën, 29,561 persona, siç thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, vetëm 24 orë më parë, në total 26,068 qytetarë kanë hyrë në Kosovë.
Daljet janë dukshëm më të vogla.

E qytetarët që vinin këtë të mërkurë nga pika kufitare në Merdare, patën qëndrime të ndryshme. Disa nga ta thanë se nuk po vlerësohet mjaftueshëm rrezikshmëria nga ta.

“Më së pari, ata që janë të pa vetëdijshëm hinë, se ata që janë të vetëdijshëm… po, është njeriu i pa vetëdijshëm, s’ka pas rrezik më herët, edhe e sheh si qytetar, si faqe nuk i pëlqen, edhe e arreston”, ka thënë Milazim Bajgora, Mërgimtar nga Gjermania.

Ka nga ata të cilët thonë se thirrjet që të shmanget kalimi nëpër Serbi, nuk i kanë dëgjuar.

“Me thanë të drejtën, unë i përcjelli lajmet kohët e fundit, edhe punoj në mbramje edhe nuk i kam përcjellë shumë, amo të shqetësuar jemi gjithë herat, amo kështu kaluam mirë, nuk u kanë keq diçka”.

“Kisha apelu valla mos me i ra knej, me i ra për Shqipëri andej, pa më gjatë amo, mos me rreziku veten as familjen e vet, shumë problem, këta edhe i lënë me qëllim kapak me hi njëherë-dyherë edhe tani e arreston”.

Në mesditë, gjatë kohës sa qëndroi ekipi i Dukagjinit në pikëkalimin kufitar të Merdares, nuk pati kolona të gjata dhe pritjet ishin të shkurta, siq ishte gjendja edhe në pikat e tjera, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme./dukagjini