Maqedonci takon Gylerin, ritheksohet bashkëpunimi Kosovë - Turqi në fushën e mbrojtjes
Foto: Facebook

Maqedonci takon Gylerin, ritheksohet bashkëpunimi Kosovë - Turqi në fushën e mbrojtjes

Aktuale July 23, 2025 - 15:29

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar homologun e tij turk, Yashar Gyler, gjatë një vizite zyrtare në Turqi.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është ritheksuar mbështetja ndërmjet dy shteteve.

Maqedonci po ashtu ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe rreth situatës gjeopolitike aktuale, si dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan Zeri.info.

Postimi i plotë i Maqedoncit, pa ndërhyrje:

Sot pata nderin të takohem me ministrin Yashar Gyler, një takim produktiv ku diskutuam mbi situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksova rëndësinë e mbështetjes që po marrim nga Turqia. Bashkëbisedimi me ministrin Gyler ishte jashtëzakonisht pozitiv gjersa shtjelluam mundësi të reja bashkëpunimi me qëllim ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës.

E veçanta e këtij takimi ishte diskutimi mbi rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit. Ky projekt do të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së, do të mundësoj vet-qëndrueshmëri logjistike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Kosova, duke forcuar strukturat e saj mbrojtëse, do të jetë në një pozicion më të mirë për të kontribuuar në sigurinë rajonale dhe për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit.

Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke sjellë në vëmendje se marrëdhëniet tona janë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, ndërsa u dakorduam për vazhdimësinë e bashkëpunimit si element kyç, strategjik për sigurinë e rajonit. /Zëri