Abdixhiku gazetarëve të RTK-së: E mbështetët dhe duruat kapjen nga LVV-ja, sot po ju ndëshkojnë padrejtësisht
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku gazetarëve të RTK-së: E mbështetët dhe duruat kapjen nga LVV-ja, sot po ju ndëshkojnë padrejtësisht

Aktuale July 23, 2025 - 15:02

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj bllokadës financiare me të cilën po përballet Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke kritikuar edhe trajtimin që po u bëhet gazetarëve të këtij institucioni.

Ai vlerësoi se RTK-ja po paguan sot çmimin e një tolerimi të gjatë ndaj kapjes nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Mendoj që një parti që e keni mbështet ju si televizion dhe keni duruar aq shumë kapje brenda institucionit, prapë padrejtësisht ua bën këtë veprim”, tha Abdixhiku, duke iu drejtuar gazetarëve të RTK-së.

Ai kërkoi nga gazetarët që të jenë më të zëshëm dhe të guximshëm, veçanërisht kur institucionet publike përdoren për interesa politike.

“Do të doja nga gazetarët mendimlirë të RTK-së, si shtyllë e madhe e medias së lirë, të kishin zë edhe atëherë kur jua sjellin militantët partiakë në krye të drejtorive dhe bordeve”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së shtoi se përveç RTK-së, janë të bllokuara edhe të gjitha komunat që drejtohen nga kjo parti, duke akuzuar pushtetin aktual për përpjekje të qëllimshme për bllokim institucional.

“Përveç RTK-së që është e bllokuar, gjithashtu të gjitha komunat ku udhëhiqen nga LDK-ja janë të bllokuara”, theksoi Abdixhiku.

Në fund, ai u bëri thirrje gazetarëve të RTK-së që të mos heshtin përballë kapjes së institucionit dhe presioneve politike.

“Herave të tjera kur ju vjen kapja, të jeni më të zëshëm, më të guximshëm, bëni rezistencë. Jeni gazetarë – para vetes keni një gjeneratë të gazetarëve që i kanë bërë ballë çdo rezistence të mundshme. Jeni më të guximshëm, mos u frikësoni”, përfundoi Abdixhiku.