
Çfarë pas kërkesës së Presidentes në Kushtetuese?
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, konsideron se autoriteti më i lartë kushtetues i vendit nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, profesori Kryeziu e cilësoi të vonuar kërkesën e Osmanit për sqarim të aktgjykimit të Kushtetueses.
Sipas tij, presidentja e Kosovës është dashur, disa ditë pas shpalljes së vendimit, t’i kërkojë Gjykatës sqarime se si të veprohet pas datës 26 korrik, në rast të moskonstituimit të institucionit ligjvënës të vendit.
Kryeziu komentoi edhe se çfarë mund të ndodhë pas skadimit të 30-ditëshit - a u merren deputetëve mandatet, a zëvendësohen deputetët apo shkohet në zgjedhje të reja.
Presidentja e Kosovës tha të martën se kërkesa në Kushtetuese "në esencë është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh".
Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.
Osmani tha, po ashtu, se "kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme".