Krasniqi LVV-së: Ndërroni kandidatin, vetëm atëherë mund të konstituohet Kuvendi
Foto: Laura Hasani

Krasniqi LVV-së: Ndërroni kandidatin, vetëm atëherë mund të konstituohet Kuvendi

Aktuale July 23, 2025 - 12:09

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar sjelljen e kryesuesit të seancës Avni Dehari si arbitrare dhe autoritare.

“Siç e patë edhe sot, ndoshta edhe në një mënyrë më degraduese se deri tash, LVV, duke shfrytëzuar kryesuesin e seancës z. Dehari, po e pamundëson me arbitraritet të plotë konstituimin e Kuvendit të Kosovës,” deklaroi Krasniqi pas seancës së sotme plenare, që përfundoi pa ndonjë vendim konkret.

Ai përsëriti se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje ka qenë i pandryshuar që nga 15 prilli.

“Thirrja e PDK-së që nga 15 prilli ka qenë e konsistente dhe e njëjtë. Qytetarët kanë votuar që të kenë institucione, stabilitet dhe zhvillim, dhe është obligim i gjithë deputetëve që të luajnë rolin e tyre karshi besimit që ua kanë dhënë qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, partia që ka dalë e para nga zgjedhjet nuk ka të drejtë të garantuar për të emëruar kryetarin e Kuvendit, por vetëm për ta propozuar atë.

“Partia e parë nuk e ka këtë të drejtë të garantuar që ta emërojë, por vetëm ta propozojë”, theksoi ai.

Krasniqi e akuzoi kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për tejkalim të kompetencave dhe sjellje të paprecedentë në historinë parlamentare të Kosovës.

“Ju sot e patë që z. Dehari ka arritur në një nivel të autoritarizmit që s’është parë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.

Kryetari i PDK-së ritheksoi qëndrimin e partisë së tij për të dalë nga bllokada.

“Në këto tre ditët e mbetura, konform afatit që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, ne jemi në qëndrimin e njëjtë – të ndërrohet kandidati dhe të sillet një nga deputetët e LVV-së që nuk ka qenë pjesë e qeverisë ‘Kurti’. Pastaj, mendoj se mundësohet konstituimi i Kuvendit”, tha Krasniqi.