Krasniqi: Limaj s’do të jetë kurrë kandidat për kryetar Kuvendi
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Limaj s’do të jetë kurrë kandidat për kryetar Kuvendi

Aktuale July 23, 2025 - 12:04

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Fatmir Limaj nuk do të jetë kurrë kandidat për kryetar të Kuvendit.

Së fundmi, është përfolur se kreu i Nismës mund të jetë zgjidhja e kompromisit për ngërçin në Kuvend, por Krasniqi tha se Albin Kurti nuk do ta propozojë kurrë atë.

 

“Sa i përket Fatmir Limajt, a e keni parë diku që është kandidat? E para, unë nuk besoj kurrë se do të jetë kandidat. Ia kam thënë edhe atij personalisht. Nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Për këtë temë nuk besoj se do të kemi arsye për të diskutuar. Një deputet i PDK-së ka thënë se mendon që do të ishte mirë për të votuar, por PDK nuk voton në mënyrë të shthurur, por sipas vendimeve partiake. Këto janë tendenca dashakëqija. Në PDK, 24 votat janë unike”, tha Krasniqi.

 

Tutje, ai foli edhe për lëndët që PDK-ja dhe LDK-ja i kanë dërguar në Kushtetuese për çështjen e komisionit për votim të fshehtë.

“Lëndët që i kemi dërguar ne si PDK në Kushtetuese, por edhe LDK, kemi pritur shumë që të marrim përgjigje para datës 26, kemi edhe tri ditë. ndoshta do ta qartësonte së paku çështjen e votimit të fshehtë, i cili, në leximin e të gjithë ekspertëve, përpos atyre ekonomistëve të Vetëvendosjes që janë bërë ekspertë ligjorë, e dimë se rendi i ditës nuk bën të ndryshohet”.

Sipas Krasniqit, LVV-a duhet të tërhiqet nga shkelja e vazhdueshme e kushtetutës, “e cila është bërë karakteristikë e qeverisjes së tyre”.

Se a miratohet apo jo kërkesa e Presidentes për masë të përkohshme, Krasniqi tha se nuk e di, por shtoi se nga praktikat e kaluara, miratimi ose jo një kërkese të tillë ka ndodhur brenda 48 orëve.