
Deliu: Kosova po vuan nga paaftësia e LVV-së për t’i krijuar institucionet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka deklaruar se Kosova dhe qytetarët e saj po vuajnë për shkak të paaftësisë së Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dhënë zgjidhje krijimit të institucioneve të reja shtetërore.
Ajo theksoi se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe se kjo bllokadë politike po ndikon negativisht jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në raportet me Bashkimin Evropian.
“Do të ishte mirë të kishim institucione të reja. Kosova dhe qytetarët e saj po vuajnë për shkak të paaftësisë së Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dhënë rrugë krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Deliu.
Deputetja e PDK-së shtoi se për shkak të kësaj situate, vendi po humbet mundësi të rëndësishme për zhvillim.
“Ky epilog i rëndë në procesin e krijimit të institucioneve po e lë Kosovën jashtë fondeve të Bashkimit Evropian, të cilat tashmë po i përfitojnë shtetet e tjera të rajonit. Kosova ende vuan nga pamundësia për t’i marrë këto fonde që do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, theksoi Deliu.