KRU “Prishtina” bën thirrje për kursim të ujit: Mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar
Foto: Laura Hasani

KRU “Prishtina” bën thirrje për kursim të ujit: Mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar

Aktuale July 23, 2025 - 10:28

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka apeluar tek qytetarët që të shfrytëzojnë ujin në mënyrë të kontrolluar, duke theksuar se është e nevojshme kursimi i tij.

Sipas njoftimit të KRU-së, thuhet se përdorimi i ujit në mënyrë të pakontrolluar ka ndikim negativ, duke zvogëluar rezervat e ujit të pijshëm. Kompania thekson se kursimi i ujit është i domosdoshëm për të siguruar sasi të mjaftueshme për të ardhmen.

“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen. Kemi rritje të kërkesave për ujë të pijshëm, pavarësisht që shpërndarja bëhet në mënyrë të barabartë dhe me kapacitete maksimale trajtuese”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, përmes njoftimit bëhet e ditur se Kompania është duke monitoruar situatën për të identifikuar çdo rast të keqpërdorimit dhe përdorimit të paligjshëm të ujit në zona urbane dhe rurale.

“Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit në zonat urbane e rurale”, është shprehur Kompania.

KRU “Prishtina” njëherësh bën thirrje për kursim të ujit, kërkon të mos shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar.