
Sindikata e RTK-së thotë se është në prag të kolapsit financiar
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit Publik (RTK) ka thënë se janë në prag të kolapsit financiar dhe për këtë kanë njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve.
Sipas njoftimit, RTK-ja ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
“... gjë që rrezikon funksionimin e rregullt të Institucionit, punën e qindra punonjësve dhe misionin publik të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në njoftim.
Siç thotë Sindikata, mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik, duke kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës dhe e pagave për punonjësit e RTK-së.
“Ne u bëjmë thirrje opinionit publik, institucioneve dhe mediave të qëndrojnë të informuara dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik, si një aset i përbashkët i qytetarëve dhe i demokracisë”, vijon njoftimi.
Buxheti i RTK-së miratohet nga Kuvendi i Kosovës, i cili që nga zgjedhjet e 9 shkurtit është i pakonstituuar. Sot do të bëhet përpjekja e 51-të.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
SPERTK njofton përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve për kolapsin financiar në RTK
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka kontaktuar ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë si dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve, duke i informuar zyrtarisht për gjendjen alarmante financiare të transmetuesit publik.
RTK ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, gjë që rrezikon funksionimin e rregullt të institucionit, punën e qindra punonjësve dhe misionin publik të garantuar me Kushtetutë.
SPERTK ka theksuar në komunikimet e saj se mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik, duke kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës dhe e pagave për punonjësit e RTK-së.
Ne u bëjmë thirrje opinionit publik, institucioneve dhe mediave të qëndrojnë të informuara dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik, si një aset i përbashkët i qytetarëve dhe i demokracisë. /Zëri