
Temperatura të larta edhe sot, këto janë masat mbrojtëse që ka marrë MSH-ja
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
IHMK-ja njofton se lokalisht parashihen reshje të shkurtra shiu.
Temperaturat minimale do të jenë nga 12 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale nga 28 deri në 32° C.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja, 1–6 m/s.
Ndërkaq, për shkak të temperaturave të larta këtë javë, ku pritet të jenë deri në 38 gradë Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Mbi masat mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperatura të larta
Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:
Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;
Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5 dhe 1.6
Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;
Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;
Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura
Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët
Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:
Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;
Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;
Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;
Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;
Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;
Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194.