
“S’është hera e parë që shkelet Kushtetuta”, Tomë Gashi për krizën aktuale politike
Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se është absurde ideja që një prokuror të marrë në hetim apo të akuzojë 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Është e paimagjinueshme që një prokuror, kushdo qoftë ai, të marrë në hetim 120 deputetë dhe t’i akuzojë për çfarëdo vepre penale. Këta deputetë nuk kanë kryer ndonjë vepër penale – ata janë në mandatin e tyre dhe kanë të drejtë ligjore e kushtetuese për të vepruar ashtu siç po veprojnë,” deklaroi Gashi.
Sipas tij, i vetmi “dënim” që mund t’i pret deputetët është ndëshkimi nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk pres ndonjë pasojë tjetër për ta, përveç asaj që qytetarët do t’i shohin dhe vlerësojnë në të ardhmen me votë.”
Sa i përket Presidentes Vjosa Osmani dhe kërkesës së saj të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Gashi thekson se ka pasur vonesë, por thekson se nuk është vonesë fatale.
“Është e vërtetë që është vonuar. Ajo vet e tha se kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në skadimin e afatit kushtetues. Këtë kërkesë ka mundur ta paraqesë që në ditën e parë – nuk është ndonjë filozofi e madhe.”
Ai shtoi gjithashtu se nuk është hera e parë që nuk respektohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, duke vënë theksin te qëllimi i deputetëve.
“Edhe në të kaluarën janë shkelur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deputetët, me bindjen që nuk po bëjnë shkelje, po vazhdojnë të veprojnë.”/teve1