Rama paralajmëron reformë të thellë në arsim: S’ka më 17 shefa në universitete
Foto: Laura Hasani

Rama paralajmëron reformë të thellë në arsim: S’ka më 17 shefa në universitete

Aktuale July 22, 2025 - 15:57

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur kritika ndaj disa universiteteve.

Në aktivitetin e sotëm për partneritetin mes Universitetit Bujqësor të Tiranës me atë BOKU në Vjenë, Rama paralajmëroi reformë të thellë në arsim dhe shtoi se nuk do të ketë më një numër të lartë “shefash” në universitete.

“Universitetet nuk mund të jenë më si gjimnaze! Do të trajtojmë çështjen e shumë kokave brenda një universiteti, zgjidhen shefa, e të gjithë thonë unë kam vizionin tim. Nuk mund të ketë 17 koka me 17 drejtime të ndryshme që duan të mbajnë atë kioskën e tyre. Ky duhet të jetë rregull për të gjithë”, paralajmëroi më tej Rama, shkruan Opinion.al.

Më tej, ai u tha maturantëve se aplikimi në Universitetin Bujqësor do t’u sjellë një sërë përfitimesh profesionale në të ardhmen.

“Juristë ka plot Shqipëria, por profesionistë për të gjitha këto tema që janë temat më të nxehta të botës, e që do bëhen përvëluese, nuk ka mjaftueshëm! Ata pak që janë, janë pedagogë në UBT. Kështu që secili që do trokasë në derën e këtij universiteti, do bëhet pjesë e asaj kategorie, që do të jetë më e nevojshmja e shoqërisë. Do i keni dyert e hapura në privat, shtet, në Shqipëri e Austri. Në rastin më të mirë do përfundosh sekser gjykatash!”, tha Rama.