Edhe në rigjykim, lirohet nga akuza për korrupsion ish-sekretari i MI-së Betim Reçica
Foto: Laura Hasani

Edhe në rigjykim, lirohet nga akuza për korrupsion ish-sekretari i MI-së Betim Reçica

Aktuale July 22, 2025 - 13:01

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, ka shpallur aktgjykim lirues.

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësi, Kushtrim Shyti.

Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Reçica lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi nuk është provuar se ka kryer veprën penale.

Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të Gjykatës, kurse kërkesë pasurore-juridike nuk kishte.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 maj 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të akuzuar për keqpërdorime me tenderin për Autostradën e Gjilanit.

Ndërsa, Gjykata e Apelit mori vendim me të cilin e ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Themelores. Apeli anuloi aktgjykimin për pikat II, IIa dhe IIb për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në vazhdimësi, vepër për të cilën akuzohet Reçica dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Kurse, ka vërtetuar pikat I, III, IV, V të aktgjykimit të Themelores kundër katër të pandehurve në drejtim të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica akuzohej se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Reçica akuzohej edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohej se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohej me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.

Reçica ngarkohej edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.

Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, akuzoheshin se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkoheshin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohej edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore. /BetimipërDrejtësi