Haradinaj përkujton 15-vjetorin e mendimit të GJND-së: Vendim historik për shtetësinë e Kosovës

Haradinaj përkujton 15-vjetorin e mendimit të GJND-së: Vendim historik për shtetësinë e Kosovës

Aktuale July 22, 2025 - 12:26

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot 15-vjetorin e Mendimit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, këtë vendim e ka cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Postimi i plotë:

15 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legjitimoi përpjekjet tona historike, të drejtën tonë për shtet. Vendimi i 22 korrikut 2010 nga GJND-ja është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai vulosi drejtësinë ndërkombëtare mbi idealin tonë të lirisë, të jetësuar më 17 Shkurt 2008.

Rruga deri këtu ka qenë e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sakrifica ndër breza. Por Kosova ka qëndruar falë përkushtimit të popullit të saj për liri, drejtësi dhe demokraci.

Rreshtimi kah vlerat perëndimore dhe orientimi ynë euroatlantik duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, është rruga e vetme për realizimin e synimeve tona si shtet.