
Kurti: Mendimi i GJND-së për Kosovën 15 vjet më parë, ndër momentet më frymëzuese dhe mësim për Serbinë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës 15 vjet më parë ishte “një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kujtoi këtë akt si vulë të “ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare”.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 15 vjet nga shpallja e Mendimit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Mendimi Këshillëdhënës i GJND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri.
Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Mendimi Këshillëdhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë.
Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale.
Ajo do të mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj.