Dëshmitari Nedelkoviq në rastin “Banjska”: U detyrova t’i lejoja të futeshin në hotel, ishin të armatosur

Dëshmitari Nedelkoviq në rastin “Banjska”: U detyrova t’i lejoja të futeshin në hotel, ishin të armatosur

Aktuale July 22, 2025 - 11:45

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi në rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, e cila po e përcjell seancën, raporton se dëshmitari Rade Nedelkoviq, që punonte në hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, ka dhënë detaje nga ky rast.

“Ata kanë hyrë te dera e dytë, jo te dera kryesore. Unë kam qenë i detyruar t’i lë se kanë qenë të armatosur, s’kam guxu me i thanë jo. Ka mbet i plagosuri dhe një tjetër”, ka thënë mes të tjerash Nedelkoviqi.

I pyetur nëse e njeh Milan Radoiçiqin, organizatorin e vetëdeklaruar kryesor të sulmit terrorist dhe agresionit në Banjskë, dëshmitari tha: “Kam dëgjuar për të, por kurrë s’e kam parë”.

“Mendoj që një herë ka qenë” në hotelin “Rajska Banja”. “Se ai edhe nëse vike, vike disi më ndryshe”.

Ai është pyetur nëse Radoiçiqi ka qenë organizator i grupit.

“Po, ai vetë e ka pranuar, pa marrë parasysh çka mendoj unë”, ka thënë mes tjerash dëshmitari Rade Nedelkoviq.

Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë. /klankosova