
Faith: Kur doli vendimi i GJND-së më telefonoi Ahtisaari, ishte i lumtur që projekti i tij u njoh edhe nga aspekti ligjor
Diplomati holandez, Pieter Faith, i cili ka punuar në Kosovë edhe si shef i Zyrës së BE-së, në një dokumentar të realizuar nga Ambasada e Kosovës në Hagë për përvjetorin e vendimit të GJND-së për aktin e shpalljes së pavarësisë, ka treguar edhe për rëndësinë e madhe që ka pasur ky vendim për komunitetin ndërkombëtar, sidomos për Marti Ahtisaarin.
Faith ka treguar se si e kishte telefonuar Ahtisaari pasi GJND-ja kishte marrë vendim se shpallja e pavarësisë s’e shkel ligjin ndërkombëtar, për të uruar.
Faith ka treguar se Ahtisaari ishte i lumtur që projekti i pavarësisë së Kosovës, që doli nga plani i tij, mori edhe njohje nga aspekti ligjor.
“Presidenti Ahtisaari në Finlandë, po e ndiqte nga afër se çfarë po ndodhte. Dhe kur u dha vendimi që Pavarësia e Kosovës s’është në kundërshtim me Ligjin Ndërkombëtar, ishte një moment çlirimi edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe festë në Prishtinë. Mora dhe një telefonatë nga Ahtisaari që na përgëzoi neve dhe shprehu lumturinë dhe kënaqësinë e tij se projekti që ai e inicioi me planin e tij në një mënyrë u justifikua dhe u njoh nga aspekti ligjor”, ka thënë Faith. /express