Polici Behrami dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se s’kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Polici Behrami dëshmon për sulmin në Banjskë: E kuptuam se s’kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal

Aktuale July 22, 2025 - 11:17

Në seancën e së martës, në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, zyrtari policor - dëshmitari Halim Behrami, tha se në natën kritike kur ndodhi sulmi, e kuptuan se nuk kishin të bëjnë me një grup të thjeshtë kriminal, por një grup të mirorganizuar dhe se në sulm u përdorën armë të kalibrave të ndryshëm.

Fillimisht, prokurori special Naim Abazi e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohen deklaratat e dhëna lidhur me rastin, për çka dëshmitari e pohoi një gjë të tillë,

I pyetur se cilat ishin detyrat e tij më 23 dhe 24 shtator 2023 dhe nga kush i ka marrë urdhrat për t’u vendosur në pikën në fshatin Banjskë, Behrami tha se vitet e fundit punon si polic hetues në Njësinë e Trafikut në Mitrovicë dhe se rreth orës 02:00 të natës kritike, në njësinë kufitare kishin marrë informacion se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.

Pas kësaj, tha se dy njësi kanë vazhduar në Zveçan dhe pas 2-3 minutash ai dhe dy kolegë, pak para se të hynin në fshat ishin takuar me ata, e kishin ndal një veturë dhe pasi e kontrolluan vazhduan së bashku në drejtim të Banjskës.

Behrami tha se kishin qenë tri vetura të policisë, në të dytën ishte rreshteri Afrim Bunjaku dhe një tjetër zyrtar policor. Kurse, në të tretën ishte ky dhe Avni Shala.

Sipas tij, pasi arritën në Banjskë- vetura e parë ishte ndalë afër barrikadës, kurse e dyta 30 metra larg saj. Tha se te barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare.

“Jemi dalë prej veture, policët që kanë qenë në veturën e parë veç kanë arrit te barrikada, ne jemi afru diku 15 metra afër barrikadës dhe në atë moment polici Elez Peci më ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu me u shpërnda”, tha Behrami.

Sipas tij, te vendi ku ishte barrikada ishte ndriçim i plotë, ndërsa në fshat errësirë totale.

“Posa kanë fillu me u shpërnda është dëgju një shpërthim i madh, policët që kanë qenë afër barrikadës janë barrikadu aty afër barrikadës, ndërsa unë dhe Avni Shala jemi kthy prapa veturës sonë dhe jemi barrikadu prapa saj si mburojë”, tha Behrami.

Polici shtoi se në të njëjtën kohë, kishte shpërthime dhe të shtëna me armë të ndryshme.

“Menjëherë e kemi kuptu se nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal”, tha ai, duke shtuar se këtë e kuptuan nga pozita ku qëndronin sulmuesit dhe armët që përdornin.

Ai tha se sapo ishin barrikaduar, ka parë se rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë.

“Ne ishim diku 30 metra larg dhe terreni ishte i hapur, e kishim të pamundur me u afru. Nga ajo pozitë ku ishim, Avni Shala e ka kthyer zjarrin pasi kishte një armë automatike, të shtënat vazhdonin pa ndërprerë në drejtim tonin. Kemi pa kolegë tjerë t’u e largu rreshterin nga rruga dhe e kanë vendos në veturën ‘Toyota’ dhe e kanë nisë në drejtim të Mitrovicës”, tha Behrami.

Sipas tij, edhe policët Sedat Shala dhe Fahri Shala ishin tërhequr me një blindë nga një njësi për reagim të shpejtë. Gjithashtu, tha se nga fshati Izvor kishte shkuar një autoblindë e reagimit të shpejtë të Ferizajt.

Polici tha se ai kishte hyrë në autoblindë, kurse Avni shala kishte vazhduar me veturë në drejtim të Zveçanit.

Prokurori e pyeti nëse sulmi në fjalë sipas tij ishte i zakonshëm apo sulm i mirorganizuar me qëllim të ndonjë akti terrorist. Po ashtu, e pyeti për llojin e kalibrit të armëve që kishin përdorë sulmuesit.

Por, kjo pyetje u kundërshtua nga avokati Millosh Deleviq, me arsyetimin se është sugjestive. Megjithatë, pyetja u lejua nga gjykata.

“Në bazë të armëve të përdorura nga zhurma, kanë qenë kalibra të ndryshëm, gjithashtu ka pas gjuajtje me armë më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosur ishte errësirë e plotë në fshat, na ka bërë të kuptojmë se janë një grup i organizuar që kanë pas qëllim me bë dëm sa më të madh”, tha Behrami.

Ai deklaroi se meqë ishte errësirë, nuk kanë mundur të vërejnë ndonjë person apo automjet, por që tek Manastiri kishte drita.

Polici tha se dëmi më i madh për ta është humbja e kolegut Afrim Bunjaku, por që ai personalisht tha se nuk ndihet i dëmtuar bazuar në detyrat e punës.

“Kam 21 vjet përvojë pune në Polici, raste të tilla nuk kam has gjatë karrierës sime në përgjithësi”, tha Behrami, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Gjithashtu, ai përsëriti se konsideron se grupi ishte i mirorganizuar për shkak të vendit ku ishin pozicionuar sulmuesit, barrikadat, fakti që policët kanë qenë në pjesën ku ishte e ndriçuar, ndërsa fshati në errësirë, përdorimi i eksplozivit, mortajave të dorës, kalibra të shumtë të armëve automatike dhe nga zhurmat e kanë kuptuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një lloj të armës.

“Zakonisht, në ballafaqime me grupe kriminale, qëllimi i tyre është të shpëtojnë nga policia, por jo të barrikadohen, ky s’ka qenë një rast i tillë, kanë qëndruar për të na sulmuar, sigurisht pasi kanë arritur njësitet speciale, janë detyru me u largu”, tha Behrami.

Ai tha se për shkak të errësirës, nuk kanë parë pjesëtarë të grupit që janë nis në sulm, por vetëm kanë dëgjuar të shtëna dhe kanë vërejtur lëvizje të veturave.

“Së pari është vendos eksploziv, pastaj kur ka ardhë autoblinda e reagimit të shpejtë ne jemi goditë nga një predhë e murtajës, predha ka rënë afër veturës sonë. Gjithashtu, zhurmët e armëve kanë qenë të ndryshme”, deklaroi polici, duke shtuar se punon që 5 vite në Zveçan.

Në këtë seancë, u bë e ditur se dëshmitarja Dragana Antonjeviq, që ishte planifikuar të dëgjohet, nuk do të dëgjohet sot për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit dhe se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk ndihet mirë me shëndet.

Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit tjetër. /BetimipërDrejtësi