Moskonstituimi i Kuvendit, punëtorët e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga nga muaji korrik
Foto: Laura Hasani

Moskonstituimi i Kuvendit, punëtorët e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga nga muaji korrik

Aktuale July 22, 2025 - 08:44

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa paga nga muaji korrik, por edhe vetë funksionimi i mediumit publik. Krejt kjo po ndodh si pasojë e dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe mungesës së themelimit të Komisionit për buxhet.

Për mungesën e fondeve të RTK-së janë deklaruar edhe përfaqësues të subjekteve politike. Nga Vetëvendosja fajësojnë ish-opozitën që për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, ndërsa, PDK e LDK e akuzojnë Vetëvendosjen për krejt këtë gjendje të krijuar, duke e lënë kështu Televizionin Publik pa buxhet.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që menaxhon me buxhetin e shtetit, nuk ka dashur të ndalet me gjithë përpjekjet e RTK-së për ta marrë një përgjigje. Nga distanca ai largoi përgjegjësinë nga vetja, duke ia deleguar atë Komisionit, i cili de fakto nuk ekziston.

Bashkëpartiaku i Muratit, Artan Abrashi është i vetëdijshëm për situatën nëpër të cilin po kalon vendi. Përgjegjëse i bën partitë opozitare.

“Bllokimi i Kuvendit është qartazi duke marrë ndikim financiar dhe duke i prek krejt poret e jetës institucionale politike, mos të harrojmë që përmes bllokimit që I ka bo qikjo opozitë marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, dami që i është bërë Republikës sonë ka kap miliona euro e fatkeqësisht është duke vazhduar edhe tash por krejt në një formë tjetër si bllokadë politike, por që me pasoja shumë më të mëdha”, tha ai.

Ndërkohë Ferat Shala nga PDK-ja dhe Besjan Mustafa nga LDK-ja e akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për krejt këtë gjendje të krijuar, e duke e lënë kështu pa buxhet Televizionin Publik.

“Është rezultat i moskonstituimit të Kuvendit i moskonstituimit të Komisionit për buxhet i cili nuk është aktiv dhe pa këtë komision edhe thesari është i nvarur nga ky komisioni dhe raportet që do duhet të dërgonte raportet çdo gjashtëmujor”, ka theksuar Shala.

“Rrezikohen punëtorët që marrin paga nga sektori publik, por edhe me keqja se kjo dhe nuk po thom që kjo është me e vogël, pagat në sektorin publik janë tejet të rëndësishëm sepse këta zyrtarë mbajnë familje me këto paga më e keqja se kjo është se RTK sikurse të gjitha institucionet publike nuk do të mund të zhvillohen do të ngecet aty ku është një dëshirë që nuk e kanë as zyrtarët e RTK-së, as qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Mungesa e pronës dhe një financimi të qëndrueshëm për Radiotelevizioni e Kosovës, që nuk është zgjidhur as pas më shumë se dy dekadash, ka paraqitur probleme permanente për funksionimin e mediumit të vetëm publik.