LDK-ja zyrtarizon Kastriot Shabanin për Shtimën

LDK-ja zyrtarizon Kastriot Shabanin për Shtimën

Aktuale July 21, 2025 - 22:18

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shtimes, ku së bashku me kandidatin për kryetar të komunës, Kastriot Shabani, dhe aktivistët lokalë, prezantoi angazhimin dhe përkushtimin e kësaj force politike në nivel lokal.

Abdixhiku vlerësoi lart punën dhe energjinë e ekipit të degës së LDK-së në këtë komunë, duke theksuar përkushtimin për barazi gjinore dhe përfaqësim të denjë.

“Lista e kandidatëve të LDK-së në Shtime ka përfshirë 50% gra, dhe ky është një standard që duhet ndjekur nga çdo degë tjetër në vend,” – theksoi Abdixhiku.

Ai u shpreh se ky është jo vetëm një hap i rëndësishëm për fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje, por edhe një model i frymës moderne dhe progresive që LDK synon të përçojë në gjithë Kosovën.

Vizita e Abdixhikut shënon nisjen e mobilizimit të strukturave lokale për zgjedhjet komunale, ndërsa LDK synon të rrisë mbështetjen dhe ndikimin e saj në nivel lokal përmes angazhimit të gjerë qytetar.