
“Jam lut me vdek”, e mbijetuara e dhunës seksuale nga lufta në Kosovë tregon tmerrin që përjetoi
E mbijetuara e cila sonte po rrëfen ka treguar për tmerrin e përjetuar, duke nisur fillimisht si kishin ikur nga shtëpitë e tyre kur kishte filluar bombardimi.
“Me ikë, me ikë, me ikë, unë hiç. Në 8 të mëngjesit më thirr një familjare e imja edhe më thotë gjithqysh duhet me dal prej ku je qaty. E vendosëm, shkojna me kombi, në 8 të mëngjesit e kam marrë unë, letërnjoftimin unë e kam marrë, tri palë ndërresa edhe dy palë trenerka edhe i kam marrë, dokumente të shtëpisë me veti, edhe një çantë shumë e vogël”, tregon ajo, duke shtuar se i kthyen në kufi me Malin e Zi dhe pastaj u kthyen në mal.
Por, ajo kishte vendosur të shkonte në qytet për të marr një pjesë të pensionit për nënën e saj, meqenëse ishte vështirë dhe si familje kishin mbetur pa para.
Këtu edhe i kishte ndodhur tmerri që e pa e përjetoi, dhunimi nga forcat serbe.
“Polic u dal, edhe më ka vet, hë, ku po shkon, i kam thanë po shkoj në shtëpi, ********* ia kam thanë, çka ke lyp këtu, pse ke ardh këtu, i kam thanë pare po du, çka po të vyejnë parët, i kam thanë jam sëmurë, jam dal me ble barna sene, thash, a bënë me ma dhanë letërnjoftimin, tha jo nuk bën, thash të lutëm a ma jep letërnjoftimin, kom, a din, nuk po e ndijë vetën mirë nuk moj me fol, unë tu fol me ata, e kam dëgju një za prej nalt, a u kanë kati i parë apo i dytë, nuk më kujtohet mirë, edhe i ka thanë dosta bre, Gorane…. Edhe qaty nuk e di, çka ka ndodh me mu, a e kam hup vetëdijen, a u kanë goditje mas kokës a nuk e di, krejt çka di çka mundem me thanë janë dhimbjet e duarve edhe dhimbjet e trupit, dhimbjet e brendshme të trupit tem, edhe… muna me thanë që momenti kur ka fillu vetëdija me më ardh u kanë era e gjakut të trupit tem edhe dhimbjet e mija edhe jam kanë në fund të shkallëve”, tregon e mbijetuara, derisa ashtu në gjendje të rëndë kishte arritur të ikte dhe të kthej në shtëpi.
“Kam mendu more Zot, qysh me vdekë, qysh me iu thanë njerëzve çka ka ndodh me mu, çka, nata u kanë shumë shumë, nuk di qysh me ta përshkru”, rrëfen ajo./dukagjini