Si ndodhi tragjedia në Gjakovë ku humbën jetën dy punëtorët e ndërtimit?
Foto: Laura Hasani

Si ndodhi tragjedia në Gjakovë ku humbën jetën dy punëtorët e ndërtimit?

Aktuale July 21, 2025 - 20:32

Ngjitja në këto skele, doli të jetë fatale për dy punëtorë që po kryenin punime në këtë objekt në Gjakovë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës.

Njollat e gjakut këtu, mbetën edhe disa orë pas incidentit tragjik.

Zyrtarët e kompanisë që po i kryente këto punime, nuk pranuan të flasin për ngjarjen.

Dy punëtorët mbërritën pa shenja jetë në spitalin e Gjakovës.

Për këtë rast, tashmë janë arrestuar dy persona.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh lidhur me këtë rast, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë themelore në Gjakovë.

Shiritat të cilat i vendosi në mëngjes policia, u larguan gjatë mesditës nga vendi i ngjarjes.

“Sot rreth orës 08:15 nga spitali i përgjithshëm në Gjakovë jemi njoftuar se dy persona meshkuj të moshës madhore janë dërguar atje për trajtim mjekësorë, pasi të njëjtin ishin lënduar në vendin ku ishin duke punuar në një objekt në ndërtim në rrugën “ Bardhyl Çaushi” në Gjakovë. E më vonë po nga spitali jemi njoftu që të njëjtit  kishin ndërruar jetë, menjëherë ekipet policore kanë dal në vendin e ngjarjes edhe prokurori kujdestar edhe inspektori i punës”, ka thënë Elezi.

Për këtë incident ka reaguar edhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka treguar se vetëm gjatë këtij viti, numri i të vdekurve në vendin e punës ka arritur në 17 persona./teve1