Vrasja e 27-vjeçarit në Lipjan - Apeli e kthen në rivendosje çështjen ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve Themelorja ua caktoi paraburgimin
Foto: Laura Hasani

Vrasja e 27-vjeçarit në Lipjan - Apeli e kthen në rivendosje çështjen ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve Themelorja ua caktoi paraburgimin

Aktuale July 21, 2025 - 12:31

Gjykata e Apelit - Departamenti i Përgjithshëm ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve - rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Dega në Lipjan, e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar paraburgimin për një muaj nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm, PPr. nr. 41/2025, të datës 09.07.2025, duke e kthyer çështjen në rigjykim”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas Apelit, Kolegji gjykues ka konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.

“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet. Andaj, në aktvendimin e Gjykatës së Apelit i është propozuar gjykatës së shkallës së parë t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, thuhet në njoftim.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht mbi vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, Dosjen e Prokurorisë dhe deklarimin e të dyshuarve në Prokurori. /BetimipërDrejtësi