Berisha: Votoj çdo kandidat për kryetar, por me votim të hapur
Foto: Laura Hasani

Berisha: Votoj çdo kandidat për kryetar, por me votim të hapur

Aktuale July 21, 2025 - 11:55

Veton Berisha, deputeti nga komuniteti egjiptian, është deklaruar pas dështimit të seancës së 50-të konstituive.

“Kam vendosur të dal dhe ta përdor këtë foltore, në të 50-ën herë së provuari së ndërtuari institucionet. Në pamundësi për të bërë më shumë, në pamundësi për të përdori institucionet kushtetuese dhe përdorur gjendjen e atij komuniteti që më ka pru këtu, unë kam vendos që sot me shfrytëzu të drejtën time të fjalës, e cila më pamundësohet herë pas here, duke mos e dhënë mundësinë nga moskonstituimi i Kuvendit”.

“Për mua, kjo situatë është e papranueshme, jam një deputet, kam përgjegjësi publike dhe institucionale dhe jam i gatshëm të marrë përgjegjësi. Jam këtu për të ushtruar autoritetin tim, atë që e kam dhe i qëndroj mbrapa asaj që them”, tha tutje Berisha.

Ai shton se nuk bën pjesë në mesin e atyre që lejon t’i keqpërdoret vota e dhënë me mirëbesim.

“Kërkoj në mënyrë urgjente që secili nga ne t’i thërrasim përgjegjësisë sonë institucionale e publike, që ne t’i ndërtojmë institucionet sepse dëmi i Kosovës është i madh”, u shpreh ai.

Berisha deklaroi edhe një herë se është i gatshëm të votojë secilin kandidat për kryetar të kuvendit, por sipas tij, me votim të hapur.