
Bajrami me akuza ndaj Kurtit dhe Muratit: Janë në shkelje të vazhdueshme penale që nga 27 marsi
Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar për shkelje të vazhdueshme penale që nga data 27 mars – dita kur u certifikuan zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në Facebook, Bajrami shkroi se veprimet e Qeverisë në detyrë janë jo vetëm të jashtëligjshme, por po e zhbëjnë themelin kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Dogana e Kosovës si institucioni kryesor për mbledhjen e të hyrave buxhetore sot drejtohet nga një person i emëruar në mënyrë tërësisht joligjore dhe jokushtetuese,” theksoi ajo, duke e cilësuar këtë si shembull të qartë të shkeljeve nga ana e Qeverisë në detyrë.
Bajrami bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të Prokurorisë Speciale, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe të ligjshmërisë në vend.
“Prokuroria Speciale duhet të reagojë menjëherë për ta mbrojtur rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vend,” përfundoi ajo.
Është hera e 49-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.
Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.