Mes paralajmërimeve për marrëveshje ndërmjet LVV-së e Nismës, sot vazhdon përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Mes paralajmërimeve për marrëveshje ndërmjet LVV-së e Nismës, sot vazhdon përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit

Aktuale July 19, 2025 - 08:05

Kuvendi i Kosovës për të 49-ën herë sot nga ora 11:00 do të mblidhet për të provuar që të konstituohet pas bllokadës në të cilën ka ngecur qe më shumë se pesë muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Këtë herë kjo seancë do të mbahet pas disa deklaratave optimiste nga partia e Fatmir Limajt se mund të arrihet një marrëveshje me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila mund të çojë në dhënien fund të këtij cikli të vazhdimit të seancës konstituive.

Partia e Limajt, Nisma, ka tri ulëse në Kuvend, ndërsa qe një kohë është përfolur për një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Albin Kurtit.

Një arritje të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve e ka paralajmëruar bashkëpartiakja e Limajt, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta arrijnë një marrëveshje në fundjavë.

Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.

“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.

Mirëpo, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, të premten ka deklaruar se AAK-ja nuk do ta mbështesë kandidimin e Limajt për kryeparlamentar nëse ndodh diçka e tillë.

“E kemi thënë disa herë që në asnjë rrethanë nuk do ta votonim Fatmir Limajn për kryeparlamentar”, ka deklaruar Brahimaj.

Një deklarim të tillë e ka bërë edhe deputeti tjetër i AAK-së, Daut Haradinaj. 

Haradinaj ka thënë se edhe po ta votonte Aleanca, ai nuk ka votë për Limajn.

“Unë personalisht jo, nuk po flas në emër të Aleancës, ky qëndrim ka qenë i jemi publik qysh në ditën e parë dhe kështu do të mbetet, nuk besojë që kam votë, jo për naj arsye përpos njëfarë papërgjegjësie për atë shkurorëzimin politik qe e bëri me Aleancën, nuk kam asgjë personale”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, parlamentarët sot do të mblidhen derisa afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar konstituimin po afrohet.

Kushtetuesja përmes një aktgjykimi tha se deputetët janë të obliguar të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik megjithëse nuk sqaroi çfarë ndodh nëse kjo nuk arrihet.

Në mes protestash nga një numër i vogël njerëzish dhe shoqërisë civile para Parlamentit, si dhe në mes thirrjesh nga partnerët e Kosovës që politikanët e zgjedhur në Kuvend t’i japin fund bllokadës dhe t’i hapin rrugë institucioneve të reja, partitë politike në Kuvend kanë këmbëngulur në qëndrimet e tyre me partinë e parë, e cila nuk ishte në gjendje të siguronte numrat për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Pasi kjo e fundit s’mori votat e nevojshme në votim të hapur, VV përmes kryesuesit Avni Dehari erdhi me idenë e një komisioni që do të zgjidhte kryeparlamentarin e ri përmes votimit të fshehtë.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.

“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.