Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për spiunazh, Bojan Jevtiq

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për spiunazh, Bojan Jevtiq

Aktuale July 18, 2025 - 14:43

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për zyrtarin policor Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

Prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se gjatë bastisjeve në Kamenicë janë siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale që mbështesin dyshimin për përfshirjen e Jevtiqit në aktivitet të kundërligjshëm.

“Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, një zyrtar policor i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Po ashtu, siç keni qenë të njoftuar edhe dje, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit Bojan Jevtiq dhe objekte përcjellëse ku kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale, e në bazë të të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin e bazuar se i njëjti është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm, aktivitet, i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, zyrtarëve të saj dhe qytetarëve të saj. Andaj kemi konsideruar se sot duhet të paraqesim masën e propozuar, respektivisht masën e paraburgimit”, tha Kodraliu.

Ai bëri të ditur se në mesin e provave të siguruara janë edhe dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës.

“Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e rendit juridik dhe qytetarëve të saj. Për momentin dhe për shkak të hetimeve që jemi duke zhvilluar, nuk mund të japim më shumë detaje, por në fazën e mëtejshme do të njoftoheni për provat dhe materialet”, u shpreh ai.

Prokurori Kodraliu tha se Jevtiqi është kapur në posedim të një arme pa leje dhe sasive të mëdha të parave të pajustifikuara.

“Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë që i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale. Janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë euro dhe 600 franga, të cilat deri më tani i pandehuri nuk ka mundur t’i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit”, tha ai. /EO

Image