
Zbulohet murana e komandantit Gani Paçarizi, Latifi: Djalë i zoti, i përgatitur dhe i sinqertë
Në një ceremoni në Rahovec u bë zbulimi i muranës përkujtimore të komandantit Gani Paçarizi, i njohur si komandant “Rreziku”, dëshmor i luftës së UÇK-së.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi kontributin e Gani Paçarizit si një luftëtar i devotshëm dhe veprimtar i hershëm, duke theksuar se ai ra heroikisht në mbrojtje të atdheut, më 18 korrik 1998.
“Gani Paçarizi, përveçqë ka qenë veprimtar i hershëm atdhetar, ka qenë i organizuar në radhët e lëvizjes patriotike ilegale, ka ardhur nga Perëndimi në Kosovën e pushtuar dhe me pushkë në dorë, në cilësinë e një luftëtari të devotshëm, ka marrë pjesë në çdo betejë për çlirimin e Kosovës. Ka qenë një djalë i zoti, i përgatitur dhe korrekt, i sinqertë dhe i pastër si loti. Më 18 korrik të vitit 1998, para 27 vjetësh, teksa kishte në makinë një qytetar serb, i cili kishte hyrë në pikat tona dhe për të marrë një deklaratë se pse ka hyrë dhe motivet e tjera, ai është sulmuar, ka marrë plagë të rënda dhe është përjetësuar në këtë vend. Në shenjë të nderimit dhe respektit për veprën e lavdishme të Gani Paçarizit, e kemi cilësuar si murana e Gani Paçarizit”, tha Latifi.
Mbesa e dëshmores Xhevë Krasniqi, e cila ka përtërirë emrin e saj, theksoi sakrificat për lirinë dhe rëndësinë e ruajtjes së amanetit të dëshmorëve për të punuar në interes të Kosovës.
“Siç e dimë, rruga jonë për të ardhur deri tek liria ishte shumë e vështirë, ishte e mbushur me plot vuajtje dhe sakrifica. Shumë shtrenjtë e kemi paguar çmimin e lirisë, duke fal djem e vajza më të mirë të kësaj toke. Ata dëshmorë e kanë kryer në mënyrë më të dinjitetshme të mundshme detyrën ndaj atdheut. Ne ua kemi me borxh amanetin e tyre, duke punuar drejt dhe në interes të Kosovës”, tha Krasniqi.