Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në veri të Mitrovicës

Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrat e reja në veri të Mitrovicës

Aktuale July 18, 2025 - 13:15

Inspektorati Policor i Kosovës tash e tutje do të ketë zyra të reja në veri të Mitrovicës. Zyrat e reja të IPK-së tani janë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Image

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të IPK-së, ku në hapjen e kësaj zyre mori pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC-ja, IPK-ja dhe Policia e Kosovës.

“Përgjatë viteve, IPK-ja ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur deri dje në një objekt me qira në rrugën ‘Mbreti Peter’. Zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Njoftimi i plotë i IPK-së, pa ndërhyrje:

IPK-ja me lokacion të ri të zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut

Në një ceremoni rasti u përurua hapja e zyrave të reja të IPK-së në Lagjen e Boshnjakëve

Prishtinë, Mitrovicë e Veriut, 18 korrik 2025

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur sot zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Ministri i Brendshëm z. Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj, Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Erden Atiq si dhe zyrtarë e eprorë nga ARC, IPK dhe Policia e Kosovës.

Zyrat e reja të IPK-së tani janë në lagjen e Boshnjakëve, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës .

Ministri i Brendshëm z. Sveçla dhe Kryeshefi i IPK-së z. Hodaj theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit në Kosovë.

Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministri i Brendshëm gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ai shtoi se hapja e zyrave te reja do të kontribuojë në fuqizimin e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës.

Përgjatë viteve, IPK ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur deri dje në një objekt me qera në rrugën “Mbreti Peter”.

Zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. /Zëri

Image