
IKSHPK-ja jep rekomandime për përdoruesit e pishinave publike
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ndarë disa këshilla për përdoruesit e pishinave publike.
Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të sigurisë në ambientet ujore, IKSHPK-ja u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që përdorin pishinat publike, të respektojnë udhëzimet në vijim:
Ruani higjienën personale
- Para hyrjes në pishinë, bëni gjithmonë dush me ujë të rrjedhshëm;
- Përdorni rroba banje të pastra dhe mos hyni në ujë me rroba të zakonshme;
- Ndalohet hyrja në pishinë nëse vuani nga sëmundje infektive, të lëkurës apo të traktit tretës (p.sh. diarreja);
- Nëse keni plagë të hapura, mos hyni në ujë – ato janë portë për infeksione.
Sjellje e përgjegjshme në pishinë
- Respektoni rregullat dhe shenjat sinjalizuese;
- Mbani fëmijët nën mbikëqyrje të vazhdueshme;
- Shmangni sjelljet e rrezikshme si vrapimi, zhytjet e papritura apo hedhjet pa kontroll;
Ndalohet ndotja e ujit
- Mos urinoni në ujë– dobëson efektin e klorit dhe përhap infeksione;
- Mos fusni ushqim ose pije në zonën e ujit– kjo rrit rrezikun për ndotje dhe tërheq insekte;
- Fëmijët e vegjël të përdorin pelena të posaçme për ujë;
Zgjidhni ambiente të sigurta dhe të mirëmbajtura
- Frekuentoni vetëm pishinat që plotësojnë kushtet sanitare dhe janë të licencuara;
- Nëse vëreni ujë të turbullt, erë të rëndë apo mungesë pastërtie, mos hyni në ujë dhe raportoni menjëherë.
IKSHPK-ja thotë tutje se kujdesi për higjienën dhe respektimi i rregullave ndihmon në mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të të tjerëve.