
SBASHK-u i pakënaqur me MASHTI-n, a do të fillojë viti shkollor pa grevë?
3 dhjetori i vitit të kaluar ka qenë hera e fundit prejse Sindikata e Bashkuar e Arsimit u ul në tryezë me Ministrinë e Arsimit.
Mungesa e dialogut me këtë ministri është njëri ndër shqetësimet kryesore të SBASHK-ut, thotë nënkryetarja e kësaj sindikate, Vjollca Shala.
“… kërkesat e SBASHK-ut tashmë dihen. Një prej tyre është dialogu social. Gjë të mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t nuk ekziston. Tjetra është çështja e kontratës kolektive, e kemi dërguar draftin, por asgjë. Takimi i fundit ka qenë me 3 dhjetor…”, tha Shala.
Akuzave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, për mungesë dialogu me MASHTI-n, kjo e fundit nuk iu dha një përgjigje.
Pakënaqësitë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, si për mungesën e dialogut social e edhe për kontratën kolektive, shpesh herë janë përkthyer në veprime sindikale.
Por nga grevat e punëtorëve të arsimit kanë pësuar më së shumti nxënësit të cilët edhe ashtu nuk janë duke dhënë rezultate të kënaqshme në testet ndërkombëtare vlerëson ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovcit.
“… ajo është e vërtetë. Sidomos duke marrë parasysh gjendjen aktuale në arsim dhe rezultatet jo të kënaqshme të testeve ndërkombëtare, thjesht kjo do të thotë humbje mësimi për nxënësit. Mirëpo, nga ana tjetër, përvoja nga e kaluara ka treguar se këtu ka pasoja edhe për punonjësit e arsimit, në veçanti në kuptimin e ndërtimit të një narrativi i cili nuk do duhej në asnjë mënyrë të bëhej në këtë funksion aq fisnik…”, deklaroi Pupovci për rtv21.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk bëri të ditur nëse kanë marrë ndonjë vendim për të filluar vitin shkollor 2025/2026 me veprime sindikale, mirëpo siç thonë ata pakënaqësitë janë të mëdha.