
Rikthehet vala e të nxehtit, javën tjetër priten temperatura deri në 40° C
Meteorologu Mendim Rugova ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën dhe fillimin e javës së ardhshme në Kosovë, duke paralajmëruar një rritje të ndjeshme të temperaturave.
Sipas tij, të premten do të ketë shpërndarje të vranësirave në orët e paradites, ndërsa dita do të karakterizohet me më shumë intervale me diell dhe erë të freskët veriore e verilindore me shpejtësi 5-10 m/s. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 12-15° C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 27-29° C.
Nga fundjava, sipas Rugovës, do të mbizotërojë mot më stabil, kryesisht me kthjellime dhe diell. Temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke arritur të shtunën dhe të dielën në 34-36° C.
Parashikimi tregon se vala e të nxehtit do të intensifikohet nga e hëna, kur temperaturat maksimale do të kapin vlerat ekstreme prej 37 deri në 39° C, ndërsa lokalisht ka gjasa të arrijnë deri në 40° C. Edhe temperaturat minimale do të rriten, nga 12° C në fundjavë deri në 18-20° C gjatë javës.