
Aksioni kundër spiunazhit, Fetoshi: Kemi të bëjmë me një rrjet relativisht të shtrirë, ka edhe shqiptarë
Arben Fetoshi nga instituti “Octopus” ka folur në lidhje me aksionin kundër spiunazhit.
Ai u shpreh se ajo çka mund të themi hapur është që numri i tyre duhet të jetë shumë i madh dhe tha se kemi të bëjmë me një rrjet relativisht të shtrirë.
“Ajo çka mund të themi hapur është që numri i tyre duhet të jetë shumë i madh. Krahas asaj që mund ta themi me krenari që institucionet tona të sigurisë kanë një performancë të tillë, të suksesshme në neutralizimin e këtyre kërcënimeve, duhet ta themi gjithashtu zëshëm që është shqetësim i madh, për shkak se kjo tregon se kemi të bëjmë me një rrjet relativisht të shtrirë dhe potencialisht me numër të madh të infiltrimeve të tjera nga ana e Serbisë”, u shpreh ai mbrëmë në Klan Kosova.
Fetoshi tha gjithashtu “kemi parë që ka edhe”, siç u shpreh ai, “të përkatësisë shqiptare që i shërbejnë agjendave armiqësore të Serbisë”.
“Normalisht qytetarët e përkatësisë serbe, pra hetimi dhe neutralizimi i tyre është më sfidues për shkak specifikave që e karakterizojnë marrëdhënien tonë konfliktuale edhe më tutje me Serbinë, por për fat të keq ne e kemi parë që kemi edhe të përkatësisë shqiptare që i shërbejnë agjendave armiqësore të Serbisë dhe që kjo na bën të kuptojmë që po, duhet të ketë edhe të tjerë, fatkeqësisht dhe prandaj ne konsiderojmë që është e rëndësishme që Republika e Kosovës ta trajtojë me seriozitetin maksimal këtë çështje, në kuptimin e domosdoshmërisë së rritjes së investimeve”, tha tutje Fetoshi.