Sogojeva-Dërmaku: Çdo ditë ka shkelje të të dhënave personale
Foto: Laura Hasani /Arkiv

Sogojeva-Dërmaku: Çdo ditë ka shkelje të të dhënave personale

Aktuale July 17, 2025 - 19:35

Agjencia për Informim dhe Privatësi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, kanë nënshkruar dje marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtës për privatësi në kontekstin e komunikimit publik dhe raportimit medial.

Krenare Sogojeva-Dërmaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi, tha se ky bashkëpunim ka qëllim bashkimin e institucioneve kyçe për fenomenin shqetësues që ka të bëjë me qytetarët, institucionet e gazetarët rreth të dhënave personale.

Ajo tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdojë të zbatojë ligjin. Sipas saj, arsyeja e këtij bashkëpunimi ka të bëjë me numrin e madh të paraqitjeve të të dhënave personale në media.

“Nëse ne i marrim sot e shohim, qoftë të televizioneve, qoftë mediave online, gjejmë se çdo ditë ka shkelje të të dhënave personale. Ky ka qenë qëllimi: bashkëpunimi dhe parandalimi”, tha ajo./rtk