Zyrtari i arrestuar për spiunazh, “Prevent”: Nuk është rasti i vetëm

Zyrtari i arrestuar për spiunazh, “Prevent”: Nuk është rasti i vetëm

Aktuale July 17, 2025 - 13:59

Instituti për siguri dhe resiliencë “Prevent” shpreh vlerësimin për veprimin profesional, të koordinuar dhe vendimtar të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Republikën e Kosovës, përkatësisht Prokurorisë së Shtetit, Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të cilat me sukses kanë ndërmarrë arrestimin e zyrtarit policor Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për përfshirje në veprimtari spiunazhi dhe rrjedhje të informatave të ndjeshme në bashkëpunim me inteligjencën serbe.

“Jevtiqi, që ushtronte funksionin e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një njësi policore në veri të Kosovës, u arrestua në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’, pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe hetimesh të kujdesshme nga autoritetet e sigurisë. Ky arrestim nuk është një rast i izoluar, por rezultat i një pune të përkushtuar institucionale, që dëshmon për pjekurinë dhe profesionalizmin e shtetit të Kosovës në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare”, thuhet në reagim.

Po ashtu, “Prevent” thekson në mënyrë të veçantë rolin udhëheqës të Prokurorisë së Shtetit në këtë proces, hetimet e sakta të IPK-së, angazhimin serioz të Policisë së Kosovës dhe kontributin kyç të AKI-së në identifikimin dhe analizimin e informatave sensitive të karakterit inteligjent.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional në këtë rast tregon një shembull funksional të mbrojtjes së sovranitetit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës”.

Siç bëhet e ditur në njoftim ky nuk është një rast i vetëm.

“Vetëm gjatë vitit të fundit, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet inteligjente të Serbisë. Të gjithë këta persona dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, duke tentuar të destabilizojnë institucionet dhe të minojnë sigurinë kombëtare”.

Instituti “Prevent” bën thirrje që hetimet të vazhdojnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me integritet të plotë, duke u bazuar në parimet e shtetit të së drejtës, standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet e vendit dhe të sigurohet që kushdo që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues do të përballet me drejtësinë. Raste të tilla duhet të shërbejnë edhe si thirrje për verifikim më rigoroz të integritetit të zyrtarëve publikë, forcimin e kapaciteteve të kundërzbulimit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional – veçanërisht në sektorët e ndjeshëm të shtetit – për t’u përballur me sukses me sfidat dhe kërcënimet hibride që mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin në vend”, thuhet ndër të tjera në njoftim.