Java e Gruas 2025, Osmani: Gratë kanë qenë dhe mbeten shtylla të demokracisë

Java e Gruas 2025, Osmani: Gratë kanë qenë dhe mbeten shtylla të demokracisë

Aktuale July 17, 2025 - 12:50

Në prag të zgjedhjeve lokale dhe me qëllim fuqizimin e grave udhëheqëse, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) organizoi Konferencën hyrëse në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të Javës së Gruas 2025.

Ky aktivitet bashkon palë nga jeta politike, civile, mediatike dhe akademike, me qëllim fuqizimin e grave dhe promovimin e lidershipit gjithëpërfshirës, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, e cila theksoi se gratë në Kosovë, pavarësisht sfidave dhe paragjykimeve, gjithmonë ia kanë dalë të jenë lidere në shumë fusha.

“Për shumë gjatë, bota e ka parë lidershipin si një titull dhe pozicion, por lidershipi i vërtetë shkon shumë përtej saj. Ai gjendet në guximin, bindjen dhe vendimin për të qëndruar në këmbë, kur është më së lehti për të qëndruar ulur.

Në Kosovë e dimë më mirë — nga lufta për liri kemi ecur drejt ndërtimit të demokracisë. Nga shtypja u angazhuam për të pasur një zë, dhe padrejtësitë i luftuam përmes paqes. Në çdo hap nuk ishin vetëm burrat, por edhe gratë tona”, tha ajo.

Drejtoresha e NDI-së në Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg, theksoi se gratë duhet të jenë prioritet.

“Kur gratë udhëheqin, qeverisja bëhet më efektive. Kjo duhet të shërbejë si shembull i lidershipit dhe ftojmë që të jepet prioritet pjesëmarrjes aktive të gruas. Kjo është një mundësi për të reflektuar dhe Java e Gruas jep hapësirë për të promovuar gratë”, shtoi ajo.

Konferenca u organizua me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Beate Katja Elsasser, nga Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ambasada e Zvicrës, tha se për më shumë se dy dekada Zvicra e ka mbështetur Kosovën në çështje demokratike, duke investuar në lidership dhe pjesëmarrje të grave në shumë fusha.

“Ne kemi mbledhur këtë hov pasi kemi dy palë zgjedhje dhe kjo është një mundësi për të reflektuar se sa është arritur dhe çfarë duhet bërë ende, që gratë jo vetëm të jenë pjesë e politikës, por edhe ta formësojnë atë”.

Ky moment u vlerësua si një matës për nivelin demokratik të institucioneve dhe si një mundësi për të shqyrtuar hapësirën që zënë gratë dhe fuqinë e tyre vepruese në to. /rtk