
Ndryshe nga Thaçi dhe Krasniqi - Veseli e Selimi s’do të thërrasin dëshmitarë
Pasi u është rrëzuar mocioni sipas Rregullës 130 që parasheh kërkesë për rrëzimin e një apo disa akuzave në aktakuzë, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë njoftuar se nuk do të thërrasin dëshmitarë.
Ndryshe, nga Selimi dhe Veseli - Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi ka bërë të ditur se ata do të thërrasin dëshmitarë.
Katër ekipet e mbrojtjes e njoftuan trupin gjykues për qëndrimet e tyre më 16 korrik 2025.
“Në përputhje me Urdhrin e Panelit Gjyqësor dhe në pajtim me Rregullën 119 (1) të Rregullave, Mbrojtja për z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) njofton për qëllimin e saj për të paraqitur një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Thaçit, e ngjashëm edhe në atë të Krasniqit.
Kurse, në parashtrimin e tyre, Veseli dhe Selimi kanë treguar se kanë hequr dorë nga kjo e drejtë e tyre.
“Mbrojtja njofton këtu Panelin dhe Prokurorinë se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes, dhe se z. Veseli nuk ka ndërmend të japë dëshmi në mbrojtjen e tij…Prandaj, në përputhje me Rregullën 119 (1) dhe urdhrin e Panelit Gjyqësor, Mbrojtja për z. Selimi njofton se nuk ka ndërmend të paraqesë një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në dy parashtrimet të dorëzuar ndaras nga mbrojtja e Selimit dhe e Veselit.
Trupi gjykues në këtë çështje më 16 korrik 2025 marrë vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi