
Haradinaj: Kosova e lodhur me situatën, votojmë nëse ndërrohet kandidati
Deputeti nga AAK-ja, Daut Haradinaj, ka thënë se rezultati në seancën e 48-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të jetë i njëjti, përderisa nuk ndërron emri i kryekuvendarit.
“Të them të drejtën, si çdo seancë tjetër, nuk po e shoh që do të ketë ndonjë ndryshim. Jo vetëm këta që janë këtu, por e gjithë Kosova është lodhur me këtë situatë. Ne po i përsërisim të njëjtat fjalë: kemi dhënë një ofertë, kemi thënë që jemi të gatshëm të votojmë nëse do të ketë ndryshim të emrit të kandidatit — nëse jo, fatkeqësisht jo”, ka thënë ai para nisjes së seancës.
Haradinaj ka thënë se, sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është autori i ngërçit politik dhe e bën këtë në mënyrë të qëllimshme.
"Unë prapë mendoj që me vetëdije zoti Kurti është duke e bërë këtë, sepse nuk shoh arsye tjetër pse duhet të vijë 48 herë me të njëjtin kandidat, kur dihet botërisht që nuk i kanë numrat. Nuk di për ndonjë marrëveshje tjetër, përveç asaj që po qarkullon mes Nismës dhe LVV-së”, ka thënë Haradinaj.