Ekspertja ligjore: Personat që ishin të ndaluar raportuan formën e traumës që përmendet në dokumentet e viktimave

Ekspertja ligjore: Personat që ishin të ndaluar raportuan formën e traumës që përmendet në dokumentet e viktimave

Aktuale July 17, 2025 - 11:31

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë edhe të enjten po vazhdojnë dëshminë dy ekspertet e thirrura nga mbrojtësi i viktimave në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ekspertet mjekoligjore Karin Duhne-Prinsen dhe dr. Catherine Nicola Black, anë duke u marrë në pyetje nga mbrojtja e Rexhep Selimit, e përfaqësuar nga avokatja Fortuna Sheremeti.

Duhne-Prinsen tha se duke u mbështetur në literaturën mjekësore, personat që kanë qenë pjesë e ndonjë ndalimi kanë raportuar këtë formë traume e cila ishte shprehur nga viktimat përmes deklaratave të tyre, të cilat ato (ekspertet) i kanë analizuar dhe kanë nxjerrë konstatime.

“Ne jemi specialiste të fushës së mjekësisë. Ne nuk mund të flasim për vlerën e përmendjes së simptomave në këtë proces ligjore. Nga pikëpamja mjekësore, këto simptoma që përmenden në këtë proces kanë vlerë dhe përputhen me atë çka dihet nga literatura ekzistues apo nga ekspertiza përkatëse. Ne nuk mund të themi që simptomat janë domosdoshmërisht pasojë e torturës apo e trajtimit çnjerëzor. Nuk është kjo detyra jonë. Por, nga pikëpamja mjekësore, kjo ka kuptim”, tha Duhne-Prinsen.

Duhne-Prinsen deklaroi se në rast se pyetet nëse këta persona del se kanë qenë të ndaluar, këtë nuk e di me saktësi për shkak se është pikëpamje ligjore. Ndërsa, ajo foli vetëm për pikëpamjen e saj që ka nga aspekti mjekësor.

“Nga pikëpamja mjekësore, personat që kanë qenë të ndaluar kanë raportuar këtë formë traume. Prandaj, në këtë disiplinë kjo është e vlefshme”, tha ajo.

Ekspertja Chatherine Nicola-Black tha se në pjesën e parë të raportit kanë përshkruar se çka thotë literatura, simptomat që vijën prej traumës.

“Në pjesën e dytë të raportit kemi përshkruar simptomat që kanë raportuar viktimat pjesëmarrëse në këtë proces duke u bazuar në dosjet që na i kanë dhënë”, tha Black.

Shermeti pyeti se a ka të drejtë të hamendësojë që literatura po ashtu përmend se presioni posttraumatik, stresi e trauma mund të shkaktohen edhe nga lufta në vetvete (zhvendosja, humbja e ndonjë anëtari të familjes etj.) dhe jodomosdoshmërisht nga tortura.

Black u përgjigj duke thënë “sigurisht që ka edhe situata të tjera që shkaktojnë ankth dhe shqetësime”.

Sheremeti pyeti ekspertet nëse konstatimet e tyre nuk quhen të vlefshme nga pikëpamja mjekësore atëherë çfarë relevance ka literatura që kanë përdorur.

“Unë po e shoh këtë nga pikëpamja mjekësore se për këtë jam unë këtu. Unë këto simptoma-probleme psikologjike që i diskutuam si rregull do t’i shihja dhe do i konstatoja tek personat që janë viktima të keqtrajtimit, ndalimit apo rrëmbimit. Ajo që nuk prita unë të gjeja, ishte që të ishin raportuar kaq qartë në dokumente që nuk kishin si synim fillestar konstatimin e këtyre simptomave. Ky raport është për t’u përdorur në këtë sallë gjyqi, në këtë çështje. Nëse do t’i kishim pasur të dhënat, ne do t’i publikonim në kuadër të literaturës shkencore”, tha Black.

Ajo u shpreh se nga analizimi i këtyre dosjeve, risi për ato ishte se sa qartë ishin përmendur simptomat në dosjet që kanë analizuar pasi që nga praktika klinike personat e shmangin me forcë ose nuk e raportojnë sa duhet traumën e tyre.

“Nuk është abnormale që personat që kanë qenë viktima të torturës apo ndalimit të kenë simptoma të stresit post-traumatik apo depresionit apo ankthit, por ajo që ishte risi në konstatimet tona që do ishte një material që ia vlen të botohej, është pikërisht fakti që janë përmendur kaq qartë në intervista që fillimisht nuk janë kryer për të marrë këtë lloj informacioni. Ne e dimë nga praktika klinike se si personat e shmangin me forcë apo nuk e raportojnë sa duhet traumën e tyre. Prandaj, edhe Protokolli i Stambollit hyn në hollësi të caktuara si të krijosh rrethana të caktuara për personat në mënyrë që të marrësh informacionet e caktuara në dëshmitë e tyre”, tha Black.

Ndërsa, për të diskutuar për një pjesë konfidenciale të raportit, u kalua në sesion privat për publikun.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit e përfaqësuar nga Matej Pustay, Duhne-Prinsen u pajtua se raporti i tyre i përgatitur për këtë çështje nuk e ndjek në përpikëri Protokollin e Stambollit.

“Sa i takon raportit të ekspertit, kjo që thoni ju është e saktë. Ky nuk është ekzaminim mjeko-ligjor. Megjithatë, Pprotokolli i Stambollit bazohet në njohuri shkencore dhe e kemi përdorë atë ndër të tjera për informacion në këtë raport”, tha Duhne-Prinsen.

Dëshmia e këtyre dy dëshmitarëve filloi të mërkurën pasi u mor vendimi për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes sipas Rregullës 130.

Këto dy dëshmitare të mërkurën thanë se nga një përzgjedhje e rastësishme kanë analizuar dosjet e 50 viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje dhe se konstatimet e tyre në raportin që e kanë hartuar, janë bazuar në deklaratat e viktimave gjatë procesit dhe se ato nuk kanë bërë ndonjë ekzaminim të tyre.

Gjatë seancës u dëgjuan fragmente nga raporti i tyre i përpiluar për këtë çështje gjyqësore, në të cilin thuhej se refugjatët nga ish-Jugosllavia u konstatua se kishin shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor krahasuar më ata nga zona të tjera. Kjo gjë, sipas raportit, ishte bazuar në hulumtimet që janë bërë lidhur me këtë çështje.

Karin Duhne-Prinsen pohoi se kur foli për refugjatë në këtë pjesë, e kishte fjalën për persona të zhvendosur.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi