
Bllokada në Kuvend, Ymeri: Dëm kolosal, rrezik për izolim ekonomik dhe institucional
Ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit, Visar Ymeri, ka ngritur alarmin për pasojat e rënda të bllokadës institucionale në Kuvend, duke potencuar se si rezultat i saj Kosova ka humbur qasjen në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Sipas Ymerit, disa mungesa të vendimeve në fondet e BE-së e kanë vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme.
“Qasja në këto fonde kërkon një qëndrim konstruktiv në dialogun me Serbinë. Kjo sjell një dëm të drejtpërdrejtë politik dhe reputacional, pasi BE-ja e sheh Kosovën si një partnere jo të besueshme për t’i menaxhuar fondet apo për të përmbushur obligimet”, u shpreh Ymeri.
Sipas tij, pasoja konkrete përfshijnë humbje të investimeve në sektorë strategjikë, frenim të zhvillimit ekonomik e rritje të papunësisë.
“Humbje të investimeve potenciale në sektorët kyç (transport, energji, teknologji, bujqësi, inovacion). Mospërfitim nga rritja ekonomike rajonale. Frenim i zhvillimit të sektorit privat dhe i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) që janë jetike për rritjen ekonomike. Humbje të vendeve të punës”, potencoi Ymeri.
Ymeri paralajmëroi se kjo situatë dëmton besimin e qytetarëve dhe rrit skepticizmin ndaj Bashkimit Evropian.
“Rrezik për izolim ekonomik dhe institucional. Nëse Kosova nuk përfiton nga ky Plan, ajo mbetet jashtë procesit të rritjes dhe konvergjencës me BE-në. Dobësim i besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe procesit të integrimit evropian”, ka deklaruar Ymeri për “Front Online”.