Torres: SHBA-ja s’ka aleat më të madh në Ballkan sesa Kosovën
Foto:

Torres: SHBA-ja s’ka aleat më të madh në Ballkan sesa Kosovën

Aktuale July 17, 2025 - 08:04

Kongresisti amerikan Ritchie Torres, në cilësinë e bashkëkryetarit të Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe përfaqësues i komunitetit të gjallë shqiptar në Bronks, ditë më parë pati një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi, theksoi aleancën e fortë mes dy vendeve dhe rëndësinë strategjike të Kosovës si një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të madh në Ballkanin Perëndimor sesa Kosovën”, shkroi Torresi në “X”.

E presidentja Vjosa Osmani ka pohuar se është gjithmonë kënaqësi takimi me të.

“Mirënjohës për përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Takimi vjen në një moment kur bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës mbetet jetik për stabilitetin në rajon dhe avancimin e proceseve euroatlantike të Prishtinës.

Torresi ka qenë një nga zërat më të fortë në Kongres në mbështetje të çështjeve shqiptare dhe posaçërisht të Kosovës.