“MTS”-ja serbe punësoi njërin ndër organizatorët e sulmit në Banjskë, thotë Musliu

“MTS”-ja serbe punësoi njërin ndër organizatorët e sulmit në Banjskë, thotë Musliu

Aktuale July 16, 2025 - 20:06

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka akuzuar kompaninë serbe të telekomunikimit “MTS”,duke deklaruar se në listën e saj të stafit kishte edhe njërin prej organizatorëve të sulmit terrorist në Banjskë.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka bërë të ditur se pas një reagimi të tij publik, ku kritikonte aktivitetin e dyshimtë të “MTS”-it në Kosovë, kompania ka reaguar ndaj mediave që e shpërndanë lajmin.

“Operatorit serb MTS i paska penguar statusi im për ta. I paskan reaguar portaleve që e publikuan lajmin për reagimin tim për aktivitetin e tyre të dyshimtë. Ju mund të bëni edhe padi, por faktet nuk mund t’i zhdukni për implikimin e juaj në mbështetje të grupit terrorist,” ka shkruar Musliu.

Ai ka ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë ndaj kompanisë:
“A e dinit ju se personi i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë ishte punonjësi i juaj dhe ka marrë pagë nga kompania e juaj? Pse nuk reaguat për këtë?”

Sipas tij, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, ishte i punësuar në “MTS” si shofer personal i drejtorit të kompanisë, Zoran Millojeviq, dhe ka marrë një pagë mujore prej 1,246.26 eurosh.

Musliu shton se Radivojeviq është një emër i njohur për strukturat e sigurisë në Kosovë, për shkak të përfshirjes së tij në organizimin e barrikadave në veri, lidhjet me Listën Serbe dhe pjesëmarrjen në strukturat ilegale të organizatës “Mbrojtja Civile”. Ai akuzohet gjithashtu për futjen e armëve ilegale nga Serbia në Kosovë.

Sipas Musliut, në vitin 2021, Radivojeviq ka marrë pjesë në një takim të përfaqësuesve të Listës Serbe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ku kishte deklaruar: “Nëse Serbia nuk intervenon dhe nuk bën diçka në lidhje me ndalimin e prezencës së Policisë së Kosovës në veri, atëherë do të bëjë diçka të madhe dhe do të largohen përgjithmonë nga Kosova.”

“Punëtori i juaj e mbajti fjalën e dhënë Vuçiqit, bëri ‘diçka të madhe’, sulmoi Banjskën bashkë me Radoiçiqin dhe shokë të tjerë”, përfundon Musliu, duke kërkuar përgjegjësi për, siç e cilëson ai, përfshirjen e një kompanie të licencuar në Kosovë në mbështetje të terrorizmit.