Orav: Sulmet ndaj gjykatësve dhe ndërhyrja politike në gjyqësor, të papranueshme
Foto: Laura Hasani

Orav: Sulmet ndaj gjykatësve dhe ndërhyrja politike në gjyqësor, të papranueshme

Aktuale July 16, 2025 - 14:29

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se ndërhyrjet politike në gjyqësor janë të papranueshme, pas reagimit të Qeverisë në detyrë për vendimin e Gjykatës Supreme që shfuqizon Udhëzimin Administrativ për pajisjet fiskale dhe softuerët elektronikë fiskalë.

“Krerët e misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav, teksa ka shpërndarë postimin e reagimit të Supremes gjatë ditës së sotme.

Gjykata Supreme në një vendim të martën shfuqizoi Udhëzimin Administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Supremja thotë se deputeti i betuar nuk mund ta ushtrojë edhe funksionin e ministrit në detyrë.

Ndërsa, Qeveria në detyrë reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin si arbitrar dhe të njëanshëm.

Në reagimin e sotëm, Supremja ka thënë se deklaratat e Qeverisë në detyrë janë të papranueshme dhe ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.