“Nuk kemi autoritet, do ta ndante çështjen”: Si e arsyetuan gjyqtarët rrëzimin e mocionit të avokatëve në Hagë?

“Nuk kemi autoritet, do ta ndante çështjen”: Si e arsyetuan gjyqtarët rrëzimin e mocionit të avokatëve në Hagë?

Aktuale July 16, 2025 - 11:23
Krejt çka ndodhi në Hagë, pse u rrëzua në tërësi mocioni i mbrojtjes i ish-krerëve të UÇK-së?

Avokatët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë bashkë, kërkuan të rrëzohen të gjitha pikat e akuzave lidhur me krimet e pretenduara që ndërlidhen me periudhën kohore. Saktësisht, ata vlerësuan se të gjitha incidentet e pretenduara që janë kryer para majit 1998 dhe pas qershorit 1999, të rrëzohen pasi nuk kanë qenë pjesë e konfliktit jondërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse dokumentacioni nuk është publik, kjo u tha nga gjyqtari i Speciales, Charles Smith.

“Në rastin në fjalë, mbrojtja në fakt kundërshton vetëm një prej aspekteve kryesore të paraqitjes provave të ZPS-së, dhe ka kërkuar nga trupi gjykues që të rrëzojë atë që e përshkruan si akuza vetëm në lidhje me pyetjen e dy periudhave kohore që mbrojtja thotë që bie përtej, ose shkon përtej fushëveprimit të konfliktit të armatosur të pretenduar. ZPS-ja vlerëson se në Kosovë ka ekzistuar konflikt jondërkombëtar nga mars 1998 deri shtator 1999, mbrojtja parashtron se Prokuroria nuk ka vërtetuar që ka pasur konflikt përpara fundit të majit 1998, dhe pas 20 qershorit 1999. Mbrojtja kërkon të rrëzojë akuzat në aktakuzë që lidhen për krimet që janë pretenduar të kryhen para fundit të majit 1998, dhe pas 20 qershorit 1999. Incidentet renditen në shtojcën 1”, tha gjyqtari i rastit, Charles Smith.

“Në mocionin e vet mbrojtja bën parashtrime të gjata lidhur me atë që mendon se është autoritet i trupit gjykues, që të rrëzojë jo vetëm pika në tërësinë e tyre, por edhe pjesë e elemente të pikave të aktakuzës, dhe mbështetet në interpretime të mëparshme nga gjyqtarëve të procedurës paraprake të kësaj gjykate. Mbrojtja parashtron se trupi gjykues do të kishte autoritetin sipas rregullës 130 që të rrëzojë krimet e luftës që thuhet se janë kryer jashtë periudhës që pretendohet të ketë pasur konflikt. Prokuroria kundërshton pretendimet e mbrojtjes, dhe thotë se sipas rregullës 130 duhet të bëhet vlerësim pikë pas pike i provave dhe poashtu në krahasim me rregullën përkatëse me jurisprudencën e kësaj gjykate dhe rregullën 163”, tha ai më tutje, shkruan Nacionale.

Pra, sipas aktakuzës, ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës në periudhën mars 1998-shtator 1999. Sipas mbrojtjes, para majit 1998 dhe pas shtatorit 1999, nuk ka pasur konflikt, si rezultat, kërkuan të rrëzohen provat e incidenteve të paraqitura në këtë periudhë.

Kryegjyqtari Charles Smith tha se mocioni i mbrojtjes nuk ndërlidhet me akuza, por me fakte. Ai tha se edhe rregullorja e Tribunalit të Hagës ishte ndryshuar, me të cilën mbrojtja u mbështetë.

“Trupi gjykues vëren se as ligji dhe as rregullorja nuk përmendin nocionin pikat, por akuzat, megjithëse Prokuroria ka përmendur pikat në tekstin e aktakuzës. Trupi gjykues vëren Rregulli 130 lejon mbrojtjes të kërkojë që trupi gjykues të urdhërojë rrëzojë çdo, disa, ose disa pika të aktakuzës ku përmbushet pragu. Sa i takon thelbit të kundërshtimit, trupi gjykues vëren se incidentet dhe akuzat që kanë ndodhur në kohën e caktuar të kundërshtuara nga mbrojtja, nuk janë akuza, ato janë fakte materiale që kanë të bëjnë me akuza dhe pikat në aktakuzë. Ajo që kundërshton mbrojtja nuk është akuzë, por pjesë e akuzës në formën e fakteve, materialeve të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë. Mbrojtja parashtron se ka autoritet lidhur me interpretimin dhe pikat sipas jurisprudencës së TPNJ-së, ku sipas mbrojtjes , akuzat të para në raport me të gjitha pikat e aktakuzës janë rrëzuar nga trupet gjykuese, megjithatë dëshiroj të theksoj se ato janë vendime që janë mbështetur në versionin e vjetër të rregullës 98 të rregullores së TPNJ që është ndryshuar në dhjetor 2004, dhe prej atëherë ndryshimi parashikon që pikat përdoren në ven të akuzave”, tha ai.

Gjyqtari theksoi se nëse mocioni do të pranohej, do ta fragmentarizonte çështjen.

“Trupi gjykues konstaton që këto çështje nuk mbështesin kundërshtimin e mbrojtjes. Poashtu trupi gjykues nuk ka gjetur asnjë dokument autoritativ që mbështeten një qasje të tillë. Nëse do të pranohej kërkesa/interpretimi e mbrojtjes, do të çonte në fragmentarizimin e çështjes dhe do kërkonte të vendoste për secilën prej pikave përkatëse, apo fakteve materiale, pavarësisht nëse kundërshtimi është për shkak të kohës, gjeografisë apo thelbit. Megjithatë, sikurse vërehet dhe sikur është përshkruar, rregulla 130 është synuar dhe interpretuar në mënyrë të vazhdueshme se kërkon rishikim të provave që kanë të bëjnë me secilën prej pikave, dhe jo çdo fakt material apo pretendime materiale që përbëjnë akuzat. Trupi gjykues vëren se një interpretim i ngjashëm, i tillë, zbatohet me rregullën 163. Trupi gjykues referohet aktgjykimit në rastin Gucati dhe Haradinaj. Trupi gjykues vëren se secila, dhe të gjitha incidentet përkatëse që gjithashtu janë akuza në kuadrin e krimeve kundër njerëzimit, të cilat ndryshe nga krimet e luftës, nuk marrin parasysh dhe nuk e kanë të rëndësishme ekzistencën e konfliktit në kohën përkatëse, për rrjedhojë edhe nëse do të konsideronte në themelësi, dh nëse këtoe kundërshtimet e mbrojtjes vlerësohen të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë pre pikave të aktakuzës. Ndërkohë që aspektet e shpejtësisë janë të rëndësishme në këtë fazë të procesit, Ato në vetvete nuk krijojnë bazë ligjore të pavarur mbi bazën e së cilës trupi gjykues shkon përtej formulimit të qartë të rregullores”, tha ai.

Charles Smith tha se nuk kanë autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave, fakteve, apo materialeve të aktakuzës.

“Bazuar në sa më sipër trupi gjykues nuk është bindur se ai ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave, ose fakteve/materialeve pjesë të aktakuzë nëse për shkaqe kohe apo të tjera. Mbi këtë bazë trupi gjykues rrëzon mocionin në tërësinë e vetë, nuk shkon në themelësinë e argumenteve për periudhën sa i takon konfliktit të armatosur”, tha ai.

Më pas, trupi gjykues kërkoi nga palët që të bëjnë parashtrime të shkurtra me gojë sa i takon kërkesës së përbashkët të mbrojtjes për përjashtim të provave.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se Gjykata e Apelit e ka zgjedhur këtë çështje në aktgjykimin në çështjen e Pjetër Shalës.

Ai në seancë private iu referua versionit konfidencial të aktgjykimit të Apelit në këtë rast.

Ndërsa, Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, tha se kërkesa e tyre është për përjashtimin e disa pjesëve të një akt-ekspertize që kanë të bëjnë me besueshmërinë e një dëshmitari që nuk u përmend.

“Mbrojtësi i viktimave nuk mund të paraqes prova përmes një dëshmitari lidhur me besueshmërinë. Këtë mund ta bëjë ZPS-ja, mund ta bëjmë ne, por jo mbrojtja e viktimave sepse roli i tyre është i kufizuar vetëm tek dëmtimi dhe pasojat. Ne kërkojmë, përjashtimin e provave vetëm të pjesëve të caktuara që i kemi dhënë në poshtëshënimin 2”, tha ai, shkruan Betimi për Drejtësi.

Smith tha se pas pauzës do të merret vendimi për këtë aspekt dhe më pas do të vazhdohet me dëshminë e dëshmitarëve VE01 dhe VE02, që janë dëshmitarë ekspertë të mbrojtjes së viktimave.

Pas kthimit nga pauza, kërkesa e mbrojtjes për përjashtim të provave u rrëzua.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.