Osmani: Kosova mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike
Foto: Facebook

Osmani: Kosova mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike

Aktuale July 16, 2025 - 09:12

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë momente nga vizita e saj në Letoni.

Ajo në Riga e ka vizituar Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM)– një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit.

“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO”, tha Osmani.

Osmani theksoi se ka pasur edhe një diskutim në Shtëpinë e Evropës bashkë me gra lidere dhe aktiviste në Letoni për të ndarë me to rrugëtimin e Kosovës si vend që ka përjetuar luftën, por që sot avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë.

“Vizitën e përmbyllëm në Muzeun e Okupimit të Letonisë si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë. Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, përfundoi ajo.